“I kanë shti veshët në lesh” – Vetëvendosje i kundërpërgjigjet ashpër Haradinajt

Kritikat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës se këto dy parti i kanë “futur veshët në lesh” në kohën kur po diskutohet për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, nuk i kanë pëlqyer partisë së udhëhequr nga Albin Kurti, shkruan Gazeta Blic.

Madje për një gjë të tillë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se “sa për të parin e ekzekutivit Kosova do të cungohej edhe më shumë siç ndodhi me faljen e mbi 8200 hektarëve, Malit të Zi”.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu duke komentuar deklaratat e Haradinajt tha për Gazetën Blic se ai nuk ka pasur asnjëherë guximin që ta ndalë presidentin e vendit Hashim Thaçi. Kurse, për akuzat e kundër-akuzat e dy liderëve të vendit, ajo tha se janë vetëm farsë publike të cilat po bëhen me qëllime të caktuara.

“Sa për Haradinajn, Kosova do të cungohej edhe më shumë siç ndodhi me faljen e mbi 8200 ha, Malit të Zi. Kryeministri Haradinaj, nuk ka pasur asnjëherë guximin ta ndalë Hashim Thaçin, këto deklarimet e tyre publike janë farsë që bëhen me qellime të caktuara. Përkundrazi, Haradinaj duke mos pasur guximin ta ndalojë Thaçin, bëri manovra me qëllim të legjitimimit të tij me anë të platformës që nuk e ndalon Thaçin”, tha ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu tha se opozita i ka kundërshtuar fuqishëm aventurat dhe përpjekjet e Thaçit për falje të territorit. Për këtë, ajo ka përmendur edhe protestën e 29 shtatorit të vitit të kaluar e cila siç tha ajo, ka pasur të paktën tri qëllime.

“Në anën tjetër, opozita ka kundërshtuar fuqishëm aventurat dhe përpjekjet e Thaçit për falje të territorit. Protesta e 29 shtatorit ka pasur të paktën tri qëllime. E para t’i tregoj Haradinajt se si ndalet Thaçi, së dyti për t’i treguar Thaçit që qytetarët janë kundër pazareve të tij dhe së treti, për t’i treguar ndërkombetarëve që këta Thaçi nuk përfaqëson interesat dhe vullnetin e popullit”, tha ndër të tjera ajo.

Përveç kësaj, ajo ka akuzuar Haradinajn edhe për mungesë guximi.

“Sikur të kishte guximin Haradinaj ta ndalojë Thaçin, ai do të kërkonte nga deputetët e tij të votonin rezoluten e propozuar nga opozita që ka për qëllim ndalimin e Thaçit, e që radhitet secilen seancë por nuk kalon për shkak se po e bllokon koalicioni aktual”, përfundoi ajo.

Ndryshe, Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot se ata që kanë qenë të involvuar në çështjen e diskutimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë dashur ta zhbëjnë Kosovën, duke kundërshtuar vendimin e GJND-së.

Kritik është treguar edhe ndaj LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat tha se i kanë futur veshët në lesh pasi opozita në këtë drejtim, sipas tij, është treguar indiferente, duke u marrë më tepër me rrëzimin e qeverisë.

“Edhe LDK edhe Vetëvendosje i kanë shti veshët në lesh, as që e kanë ditur se çka është duke ndodhur. Kanë qëndruar indiferent. Më shumë janë marrë me mocionin, ta rrëzojnë Qeverinë sesa me substancën me atë se çka është duke ndodhur me vendin e vet, me të ardhmen e fëmijëve”, u shpreh ai.

Ai tha se kundërshtimi i tij për të hapur çështjen e kufijve, është provuar që të përdoret si një “fakt se Ramushi i do luftërat”.E dhënia e vizës për të nga Amerika, pas një refuzimi të mëhershëm, Haradinaj tha se është mesazh për të gjithë ata që mendojnë se me deklarata të tilla e mashtrojnë SHBA-të.