I vdekuri në Badoc ishte inspektor në komunën e Prishtinës

Trupi i pajetë që mbrëmë u gjet në pyll afër liqenit të Badocit është i njërit prej inspektorëve të pyllit të komunës së Prishtinës me iniciale N.Rr.

Policia e ka gjetur trupin të vrarë me armë zjarri, ndërsa vetura e tij ishte e braktisur, njofton Klan Kosova.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke e treguar ngjarjen tha se për komunën ky është një lajm i rëndë.

“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

“Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit. Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”.

Ndërkaq, këtë lajm për klankosova.tv më herët e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë Daut Hoxha.

“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graqanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulancës. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”.