Iniciuesit e ndryshimit të UA thonë se morën garanci për lejimin e shamisë prej shtatorit, e përmbyllin kampanjën

Iniciuesit e kampanjës për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për lejimin e shamisë në shkolla, Durim Berisha dhe Liridon Kurti kanë njoftuar se kanë përmbyllur kampanjën disa ditore.

Ata kanë treguar se kjo ka ndodhur pasi që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni ka konfirmuar se do ta anulojë nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, por nuk kanë publikuar ndonjë fakt se kjo do të ndodhë.

“Njoftojmë opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë serioziosht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar. Peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 000 nënshkrime nga të cilat 45% femra. Të dhënat personale do të asgjësohen në bazë të legjislacionit në fuqi.”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur këtë kampanjë.

“Falendërojmë secilin person që ka përkrahur këtë nismë fisnike, përmes të cilës është synuar t’i ipet fund diskriminimit dhe të garantohet qasje e barabartë në arsim. Jemi të lumtur për përkrahjen pa dallim gjinie, besimi dhe etnie. Falenderojmë ato media të cilat kanë raportuar paanshëm dhe objektivisht për kampanjën. Pavarësisht tendecave që t’i ipet kahje tjetër kësaj kampanje, përmes shpifjeve dhe raportimeve dezinformuese, ato ishin raste të izoluara dhe pa efekt”, ka shkruar ai.

Ai ka paralajmëruar se nëse ministria nuk do ta përmbush premtimin e dhënë, do t’i shfrytëzojnë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë. “Ju sigurojmë se në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfryzëtojmë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë. Nga sot ju kërkojmë që të ndaloni së komentuari nëpër postimet e bartësve të funksioneve publike. Ju njoftojmë se çdo përdorim tani e tutje i hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë nuk ka asnjë lidhje me kampanjën dhe iniciatorët e saj”, ka shkruar Berisha.