Ish-gjyqtari i EULEX-it: Do të tregoj se pse nuk janë hetuar krimet e serbëve në Kosovë

0
121

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka treguar  se në raportimin që pritet ta bëjë në Kuvendin e Kosovës, do të tregojë se pse nuk janë hetuar krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

Simmons ka thënë se shumë prova të krimeve të kryera nga serbët nuk janë më në dorën e autoriteteve kosovare.

“Kur të jap dëshmi para Parlamentit të Kosovës do të shpjegoj pse këto raste nuk janë hetuar. Dëshmitë në lidhje me shumë krime të luftës të kryera nga persona me etni serbe nuk janë më të disponueshme për autoritetet e Kosovës”, ka thënë Simmons, përmes një postimi në Twitter.

Simmons, gjatë janarit të këtij viti, në një intervistë për televizionin publik, ka folur gjerë e gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit.

Ai ka thënë se pret nga Komisioni Hetimor Parlamentar i Kosovës të bëjë atë që EULEX-i dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm deri më tani nuk kanë arritur ta bëjnë.

“Ky Komisioni do të shqyrtojë keqpërdorimet për sundimin e ligjit që ndodhën gjoja në emër të popullit të Kosovës, nga gjykatësit dhe stafi i lartë i EULEX-it, një Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit që pretendon të promovojë sundimin e ligjit”, ka thënë Simmons.