Ismaili: Binomi Haradinaj – Kurti luajti me politikën e jashtme

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Ramush Haradinaj e Albin Kurti ishin binomi që luajtën me politikën e jashtme dhe dëmtuan raportet me SHBA-në.

Qeverinë Hoti ai e ka quajtur vazhdimësi e mentalitetit mashtrues.

“Të hyjë në Qeveri të mos jem i sinqertë me qytetarët, kjo është një vazhdimësi e mashtrimit. Ne ju treguam qartë se kjo qeveri është vazhdimësi e një qeverie që s’do ta votojmë dhe nuk e kemi bërë. Është një qeveri e brishtë. Nuk presim ndonjë impuls pozitiv për qytetarët, ndoshta do të ketë impuls pozitiv për LDK-në por nuk përkthehen në program të mirë qeverisës, e nuk pamë as nga qeveria e kaluar. Programi i kësaj qeverie ende nuk është ardhur në Kuvend dhe ende nuk kemi plan konkret për pandeminë. Qeveria e kaluar i la shumë punëtorë pa pagesa”, ka thënë Ismaili.

Ai thotë se qytetari s’ka pasur dobi as nga Qeveria Kurti, e as nga LDK-ja sa ishte pjesë e asaj qeverie dhe tani si udhëheqëse e saj.

Ismaili gjithashtu ia ka kujtuar Hotit kur kishte thënë se ajo Qeveri që mbahet me pakicat nuk është qeveri.

“A ka pasur ndonjë dobi qytetari nga LDK-ja në qeverinë e kaluar apo tash, as tash dhe as atëherë s’kemi pasur dobi. Hoti e ka quajtur se Qeveria që mbahet me pakica nuk është qeveri, kjo i bie atë që e ka pështyrë ta lëpijë. Është ndërtuar në njëlloj deformimi”, ka thënë Ismaili.

Gjithashtu ai ka thënë e trashëgimia e Kurtit ishte prishja e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Kemi ardhë në situatë ku po themi po i riparojmë raportet me SHBA-në, pra kjo është trashëgimia e Kurtit dhe pjesë e asaj qeverie ishte edhe LDK-ja. Fakti që ne me partnerët tanë të lirisë t’i riparojmë marrëdhëniet tregon gjendjen dhe pse ka nevojë për një ofertë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij binomi Haradinaj – Kurti ka dëmtuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Këto qëndrime tona për të gjitha këto reciprocitetin dhe taksën kanë qenë të qarta. Përplasjet e mëdha mes PDK-së dhe Haradinajt ishin pikërisht për taksën. Ky ishte ky binom që luajti me politikën e jashtme, Kurti – Haradinaj, ku erdhëm në një situatë ku nëse na zhbllokojnë fondet jemi të lumtur”, ka thënë Ismaili.