Ismaili (PDK): Me mua s’punon asnjë drejtor që ka orar 8 deri në 4

Kandidati i PDK-së për Prishtinën Uran Ismaili ka thënë se fushata e tij me rregullimin e parqeve, këndit të lojërave ose gjërave të ngjashme nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës ka pasë disa mesazhe.

“Janë dy gjëra që është me rëndësi me i kuptu prej angazhimit tim dhe projekteve për rregullimin nëpër lagje. E para është që nuk është çudi me pa kryetarin e komunës në lagjen tënde i cili nuk duhet me ardh veç për tubim politik, pra nëse çohesh në mëngjes dhe je duke shku në punë dhe e sheh që kryetari i komunës ka ardhur dhe po i sheh punët që po bëhen në lagjen tënde puna jote nuk është me u çudit. Puna jote është me shku atje ku je nis, sepse puna e kryetarit është me qenë aty. Duhet me qenë e zakonshme me pa kryetarin e komunës në lagjen tënde tu punu dhe tu u marr me projekt”.

“E dyta që kam dashur ta arrijë është që gjërat e vogla në lagje kanë kuptim shumë. Parku i lagjes, këndi i lodrave dhe të tjerat kanë kuptim. Një vajzë në Breg të Diellit e cila më ka ndihmuar për ta rregulluar hulajën dhe momentin e parë kur ne kemi thënë që është në rregull ajo u ul dhe sa kam nejt unë e ka shfrytëzuar tërë kohën. Gjërat e vogla janë të mëdha në lagje. E treta është që neve na duhet në qeverisje lokale shpirti komunitar, pra që ti merr pjesë në projekte dhe ka studime për këtë punë që thonë se në projektet që merr pjesë komuniteti janë më afatgjate dhe përdoren më shumë. Duhet të ngjallet shpirti që në lagjen tënde pyetesh dhe merr pjesë dhe nuk është hapësirë që komuna e ka veç për vete por është hapësirë që ty të bashkon me qeverisjen dhe arrihet rezultati. Duke i bërë këtu kam dashur të tregojë që ky është drejtimi që do ta çojë komunën”.

Ismaili, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se nëse ai do të jetë kryetar i Prishtinës me të nuk do të punojë asnjë drejtor që ka orar nga ora 08:00 – 16:00.

“Me mua nuk punon asnjë drejtor që ka orar 8 deri në 4, sepse ajo çka na pret në komunë nuk janë pozicione që kryhen me një ndërrim të ditës. Ndoshta nuk pres që drejtorët të punojnë deri në ora 22:00, siç kam punuar unë në ministri të Shëndetësisë, po të paktën deri ka ora 19:00 ose 20:00 dhe të kryhen punët nuk e kanë mundësinë me shku në shtëpi”.