Itali, porosisin kafe/ Paguajnë 100 euro në shenjë solidariteti

Dy miq në Caserta të Italisë porositën kafe dhe paguan për të nga 50 euro secili.

Pagesa ishte vullnetare. Të dy ata thanë se pjesa e mbetur e parave, që ështe padyshim ajo më e madhja, shkonte për punonjësit e barit, në kohën kur ata, ashtu si dhe shumë të tjerë që punojnë në sektorin e shërbimit, janë goditur fort prej masave të izolimit të marra në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“ Ju faleminderit nga zemra”, shkroi në Facebook pronari I lokalit. Episode të ngjashme kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të vendit. Mjaft qytetarë italianë, për të ndihmuar baret e detyruara të mbyllen për muaj të tërë nga emergjenca e Covid-19, po kryejnë gjeste të tilla solidaritetit. Në Cagliari, një qytetar e pagoi kafen 50 euro dhe tha:

“ Mbajeni kusurin. Keni qenë të mbyllur për 50 ditë. Është më e pakta që unë mund të bëj”.

Diku tjetër, la një zarf me para dhe një pusullë ku shkruhej: “ Kjo është mbështetja ime modeste, zëreni se në muajt mars dhe prill kam ardhur ta pij këtu kafen përditë”. Në Itali është në rënie numri i viktimave nga sëmundja, por bilanci i më shumë se 32.000 viktimave mbetet një plagë për vendin fqinj, I treti në botë me numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Top Channel