Italia i angazhon mjekët e pensionuar për ta luftuar koronavirusin

Autoritetet italiane të shtunën filluan t’i angazhojnë mjekët e dalë në pension si pjesë e përpjekjeve urgjente për ta forcuar sistemin e shëndetësisë me 20 mijë anëtarë shtesë.

Kjo është njëra nga masat e marra gjatë takimit të kabinetit qeveritar, i cili zgjati tërë natën. Në 24 orët e fundit, në Itali u raportua shifra rekorde prej 49 viktimave, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Përhapja e shpejtë e virusit Covid-19 ndikoi që aeroportet dhe stacionet e trenave në Itali të zbrazen, ndërsa zonat e Romës që zakonisht janë plot njerëz tashmë duken si pjesë të një qyteti fantazmë.

Rënia e madhe e numrit të turistëve e ka goditur rëndë industrinë e turizmit, ndërsa ekziston frika se ekonomia do të bie në recesion.

Sidoqoftë, brenga më e madhe e qeverisë italiane është përhapja e mundshme e virusit nga rajoni i pasur verior në pjesën jugore, ku populli është më i varfër dhe qendrat mjekësore janë më pak të pajisura.

Numri i personave që janë duke marrë trajtim të kujdesit intensive të premten shkoi në 462, ndërsa numri i personave të infektuar u rrit në 4636.