Ja si i mashtronin “Iute Credit” dhe “Monego” qytetarët me kamata?

Iute Credit dhe Monego janë dy institucione financiare, të cilave Banka Qendrore e Kosovës ua tërhoqi licencat pasi ato shfrytëzuan mirë gjendjen e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, për të fituar në kurriz të qytetarëve.

Për më pak se një vit ato fituan miliona euro nga kosovarët që jetojnë me më pak se 2 euro në ditë.

Mënyra që zgjodhën për të bërë para, duket të ketë qenë një skemë mashtrimi, për çfarë edhe u ndëshkuan nga BQK-ja një vit më parë.

Siç pati konfirmuar drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare në BQK, Mentor Geci gjatë inspektimit të raporteve financiare të këtyre dy institucioneve financiare, kanë hasur në pa rregullsi të mëdha.

Siç u mësua më vonë, në mesin e vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka zbuluar se luteCredit nuk ka bërë në bazë të ligjeve në Kosovë kalkulimin e normës së interesit për kreditë e lëshuar.

“luteCredit në disa raste ka dëmtuar kredimarrësit duke iu llogaritur normën e interesit më të lartë, duke mos i përdorë standardet e Kosovës për përllogaritjen e kredive”, pati raportuar Ora info, bazuar në burime të saj.

Sipas kësaj, ky institucion mikrofinanciar, joshte qytetarët me norma atraktive të interesit dhe kohën e shpejt të aprovimit të kredisë, por që në realitet norma u kalkulohej më e lartë se që u prezantohej klientëve.

Pre e këtij mashtrimi, siç u raportua në medie ishte edhe një qytetare nga Prishtina e cila kishte nevojë për një kredi të shpejtë familjare dhe për t’i siguruar paratë që i duheshin ajo u ishte drejtuar institucioneve mikrofinanciare, përkatësisht Iute Credit, i mbyllur së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në këtë institucion mikrofinanciar, në muajin tetor të vitit 2018, brenda pak orëve ajo ka marrë shumën e parave të kërkuara në vlerë prej 232 euro, me marrëveshjen që përmes pagesës mujore dhe me normën e interesit të caktuar, t’i kthente brenda periudhës kohore prej 12 muajve.

Për vlerën e aprovuar të kredisë prej 232 euro, Besa (emër i vendosur nga redaksia për të mbrojtur identitetin e qytetares) në këtë institucion ka kthyer 311 euro apo 79 euro më shumë. Besa në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se për shkak të nevojës urgjente për mjetet e nevojshme, nuk ka qenë shumë e informuar për normat e kredisë.

“Unë nuk i kam ditë shumë kamatat e kredisë, por pasi paratë më janë nevojitur shpejt, shkova në Iute Credit. Brenda një dite kam aplikuar dhe më është aprovuar kredia. Kam aplikuar vetëm me letërnjoftim. Asnjëherë më nuk do të aplikojë në institucione mikrofinanciare për kredi, pavarësisht nevojës, pasi kamatat janë shumë të larta”, thotë ajo.

Por, Besa, si kliente e Iute Credit, thotë se ajo ka paguar normë të ulët interesi, krahasuar me klientët tjerë që më pas ishin ankuar për norma të larta, çka edhe e kishte aktivizuar Bankën Qendrore të Kosovës të reagonte dhe ta mbyllte këtë institucion mikrofinanciar.

Pas konstatimit të shkeljeve të ngjashme Iute Credit është obliguar që t’u kthej mjetet të gjithë kredi marrësve që janë dëmtuar dhe gjithashtu ka përmisuar mënyrën e llogaritjes së normës së interesit.

Këtë e pati konfirmuar edhe Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së, shkruan gazeta inFokus.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka disa mekanizma përmes të cilëve mbikëqyr dhe rregullon operatorët në sistemin financiar. Në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar kemi realizuar inspektime jashtë planit vjetor me qëllim të verifikimit nëse operatorët e rinj në tregun e Kosovës, të licencuar nga BQK-ja, janë duke e implementuar me saktësi kornizën ligjore dhe rregullative.

Edhe ndaj operatorit në fjalë janë zhvilluar procedurat e inspektimit dhe sipas raportit të përgatitur nga mbikëqyrësit e BQK-së është vërejtur shkelje e rregullativës në disa dimensione. Si rrjedhojë, BQK-ja ka ndërmarrë masa administrative, konform kornizës ligjore që është në fuqi”, pati thënë Ahmeti.

Por, edhe pas kësaj, “Monego”, një institucion financiar jobankar, aksionar i vetëm i të cilit në figuron letonezi Aigars Kesenfelds, i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, shpërlaje të parave dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko dhe institucioni mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo”, që për aksionar ka “As lute Credit Europe”, sipas krerëve të BQK-së, vazhduan të mos i zbatojnë rregullat.

Kështu edhe iu tërhoq licenca për operim.

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore, licenca u është tërhequr të dyjave, për shkak që nuk kanë zbatuar rregullat, në bazë të të cilave u ishte lejuar ushtrimi i veprimtarisë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”, ka thënë guvernatori Fehmi Mehmeti.

Sipas tij, devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi./Gazeta inFokus/