Ja si u infektua punonjësi shëndetësor i qendrës së paraburgimit në Mitrovicë

Pesë zyrtarë korrektues dhe një punonjës shëndetësor në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë janë infektuar me virusin Covid-19.

Punonjësi shëndetësor ishte infektuar në një dasmë më 14 mars në Mitrovicën e Veriut. Pas kësaj datë zyrtari i qendrës kishte vazhduar punën normalisht, pa e ditur se është i infektuar.

Këtë e ka thënë për IndeksOnline Florent Gashi, Zyrtar për Informim në Shërbimi Korrektues të Kosovës.

“Po, punonjësi shëndetësor ka qenë në punë, i njëjti nuk e ka ditur se është i infektuar. Punonjësi shëndetësor kishte marr pjesë në një dasmë me 14 mars 2020 në Mitrovicën e Veriut, pas kësaj kishte vërejtur disa simptoma të gripit dhe menjëherë i është nënshtruar kontrolleve mjekësore, ku dhe rezulton pozitiv me Covid 19.

Me rekomandim të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, IKSHPK ka kryera analizë për zyrtarët korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, me ç` rast kanë rezultuar pozitiv edhe pesë zyrtarët korrektues, analizat janë kryer me 31 mars 2020. Të njëjtit janë punonjës të Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë dhe si mbas rekomandimeve të IKSHPK-së, të njëjtit janë në vetkarantinë”, ka thënë ai.

Por sipas tij, të burgosurit nuk janë rrezikuar nga infektimi me Covid-19. Në këtë qendër janë kryer 56 teste të burgosurve të cilët kanë rezultuar negative.

Gashi ka treguar edhe masat që kanë ndërrmarrë në SHKK për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në burgje.

“Po ashtu, SHKK së bashku me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve ka bërë kërkesë IKSHPK–së për testimin e të burgosurve të kësaj qendre dhe nga 56 teste të bëra në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë , ku janë përfshirë të gjithë të burgosurit në testim, rezulton se të gjithë janë negativ.

Deri në këto momente nuk kemi asnjë të burgosur të infektuar me Covid 19, dhe gjasat për tu prekur të burgosurit janë shumë minimale, pasi që SHKK nga fillimi ka marr një seri masash. Gjatë kësaj periudhe kohore SHKK ka hartuar planin operativ “ Coronavirus”, i cili parasheh masat si në vijim:

Janë ndërprerë të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit. Të burgosurve iu kanë mundësuar telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype; Janë ndaluar transferet nëpër burgje për të burgosurit; Reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste shumë emergjente); Pranimet e reja fillimisht i nënshtrohen kontrolleve mjekësorë, pastaj fazës 14 ditore të karantimit; Kontroll të vazhdueshme të stafit nga Mjeket të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit; Kontroll të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive; Furnizim brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: Shampon, sapun dhe dezinfektues për duar; Furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve, po ashtu vazhdimisht bëhet dezinfektimi i të gjitha hapësirave të brendshme dhe të jashtme nëper të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit”, ka thënë ai.