Jasharaj: 400 mësimdhënës me sëmundje të rënda detyrohen të punojnë

Rreth 400 mësimdhënës të sëmurë rëndë vazhdojnë të punojnë në institucione arsimore, për shkak se ende nuk është gjetur një zgjidhje e përshtatshme për ta. Kështu thonë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), derisa kërkojnë nga qeveria aktuale tu mundësojnë atyre pagën e plotë dhe t’i zëvendësojnë me kuadro të reja. Ndërkaq, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë quajnë fatkeqësi faktin që mësimdhënësit me sëmundje të rënda detyrohen të dalin në punë, për mos ta humbur vendin e punës.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, për KosovaPress thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë që mësimdhënësit e sëmurë rëndë të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë.

“Vazhdimisht e kemi shtruar edhe çështjen e punëtorëve me sëmundje të rënda në sistemin arsimor që nga çerdhet në universitet, ngase e kemi konsideruar se shteti ka obligim edhe njerëzor ndaj tyre ngase këta njerëz me këto sëmundje, kanë punuar më vite në arsim mirëpo sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata nuk janë më në gjendje të japin kontributin e kërkuar… Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet që këta njerëz të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë, arsyeja është humane ngase shpenzimet për shërimin e sëmundjeve të tyre janë tejet të mëdha dhe ata po i dërguam në ndonjë pension të vogël ata do t’i dëmtojmë dyfish“, thotë Jasharaj.