Jasharaj: Mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me pagat, Qeveria nuk na pyeti për koeficientin

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ka bërë të ditur muaj më parë Qeveria e Kosovës.

Me këtë vendim të ekzekutivit nuk janë pajtuar shumica e sindikatave në vend.

Pakënaqësi për vlerën e koeficientit të pagave kanë shprehur edhe nga SBASHK-ut.

Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj për Front Online tha se Qeveria nuk i ka pyetur lidhur me këtë vendim.

Ai thotë se koeficienti prej 105 euro është shumë i ulët.

“Qeveria nuk na pyeti as ne as sindikatat tjera. Nxori vendim me vlerë koeficienti 105, tepër i ulët. Kemi prit 120 koeficientin. Kemi pas pak lumturi tek punëtorët teknik, mësuesit nga 1-5 dhe 6, po ashtu edhe tek edukatoret, 50 euro ngritja tek gjimnazet, keq është situata te administrata në universitet, tek profesorët ka ulje”.

Jasharaj tha se mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me pagat.

Ai thotë se po të kthehet në zero Ligji për Pagat, SBASHK-u do të mbajë grevë.

“Kemi prit shumë nga ligji i pagave, për këtë arsye dhe në kohën e Haradinajt kemi pas grevë, por kushtetuesja e ktheu mbrapsht ligjin. Ky ligj tani edhe pse ka rrezik të kthehet nga Kushtetuesja sepse janë bukur do ankesa nga Avokati i Popullit. Kemi prit shumë më tepër. S`kemi insistuar me çuar në Kushtetuese sepse po të kthehet në zero prapë do të kemi greva. Nuk janë të kënaqur me pagat mësimdhënësit”, deklaroi Jasharaj.