Jasharaj paralajmëron: Nga 1 shtatori, nxënësit do të rrinë në shtëpi

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media paralajmëroi Qeverinë Kurti se 1 shtatori do t’i pretë nxënësit në shtëpi e mësuesit në greva nëse nuk ka ndonjë lëvizje për dialog dhe zgjidhje nga ana e pushtetit.

Ai tha se Qeveria nuk bëri asnjë lëvizje, teksa shtoi se askush nuk mund tua mohojë grevat mësimdhënësve.

Sipas tij, kurrkush nuk ka të drejtë tua ndalë mëditjen apo pagat mëditjet, teksa njoftoi se po përgatitet padia ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transefereve, Hekuran Murati, për kërcënimin e tij që ta frikësojë vullnetin dhe zërin e grevistëve.

“1 shtatori nëse vazhdohet kështu me tekat e qeverisë, nxënësit do të rrinë në shtëpi e mësuesit në grevë. Qeveria s’bëri asnjë lëvizje. Ligji për grevat nuk na ka dhënë asnjë mundësi tjetër dhe filluam grevën më 25 gusht dhe ka rrjedhje të mbarë”.

“Letra që doli nga një u.d. sekretari, disi ia falëm se menduam se e bëri me emocione, por kur doli ministri Murati të cilin e kemi lutur për dialog, por ai paska guxim ta ngulfat zërin e grevistëve nuk e ka dëgjuar ligjin e grevave, pasi i mbron dhe i garanton dhe askush nuk ka të drejtë jo me mëditje e më paga asnjë cent t’ua ndalë grevistëve”, theksoi Jasharaj.