Ka vdekur edhe personi i dytë që u aksidentua ditë më parë në Bajçinë të Podujevës

Ka ndërruar jetë edhe personi i dytë në vetëaksidentin që ka ndodhur të dielën në fshatin Bajçinë të Podujevës.

Të dielën, në fshatin Bajçinë të Podujevës, kishte ndodhur një vetëaksident, ku si pasojë e plagëve të marra kishte humbur jetën në vendin e ngjarjes një 19-vjeçar me inicialet J.G., nga fshati Dobërdol i Podujevës.

Mirëpo, nga ky aksident kishte mbetur i lënduar edhe një 18-vjeçar, por ky person me inicialet Ç.G., nuk ka mundur t’i mbijetoj lëndimeve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ahmeti ka thënë se, 18-vjeçari ka ndërruar jetë sot rreh orës 16:30 në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

“Sot rreth orës 16:30 jemi njoftuar nga QKUK, se ka ndërruar jetë personi i cili është lënduar në aksidentin që ka ndodhë me datën 28 prill 2019 në fshatin Bajçinë të Podujevës. Bëhet fjalë për viktimën mashkull Ç.G. 18-vjec”, ka treguar Ahmeti.