Kajtazi mbron gjyqtarët dhe prokurorët për vendimin ndaj Pantiqit, akuzon Kurtin për kërcënim

Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se gjyqtari dhe prokurori që i kanë ndërruar masën e sigurisë ish-policit Dejan Pantiq i kanë bërë shërbimin më të mirë vendit në këtë kohë.

Sipas Kajtazit ata janë treguar më të mençur se kryeministri i vendit Albin Kurti.

“Gjyqtari dhe prokurori që ia ndërruan masën të dyshuarit, Pantiq, i kanë bërë shërbimin më të mirë vendit në këtë kohë të vështirë. Ata u treguan më të mençur e me racional sesa vetë kryeministri”, shkruan ai në Twitter.

Tutje Kajtazi ka thënë se thirrja e Kurtit për ta njohur gjyqtarin dhe prokurorin që mundësuan lirimin e Panitiqit është thirrje për kërcënim.

“Thirrja e kryeministrit për t’i njohur gjyqtarin dhe prokurorin është thirrje për linçim dhe kërcënim. Deklarata e tij se i pandehuri ka mundur të dërgohet në spital, kur ai nuk ka mundur të transferohet në paraburgim, tregon për dështimin e qeverisë dhe jo të gjyqësorit”, vazhdon tutje ai.

Krejt në fund ai ka thënë se Kurti e Sveçla duhet të përgjigjen se pse dështuan ta dërgojnë Pantiqin në paraburgim.

“Para se te përgjigjet gjyqtari dhe prokurori për ndërrimin e masës, duhet të përgjigjet Kurti dhe Sveçla se pse dështuan ta dërgojnë të dyshuarin në paraburgim. Nuk pres nga ata që kane nisur fushate kundër gjyqtarit dhe prokurorit, ta kuptojnë ketë që po e them. Nuk i fajësoj sepse nuk dine me shumë”, përfundon Kajtazi.