Kandidatja e AAK-së për deputete: Kam fakte për vjedhje votash, të rinumërohen votat brenda partive

Edhe një kandidate e AAK-së për deputete kërkon rinumërim të votave të kandidatëve brenda partive.

Fiknete Bejta thekson se në Prishtinë ka vjedhje të votave , prandaj sipas saj, duhet të rinumrohen votat e kandidatëve brenda partive.

“Kam fakte për një gjë të tillë. Rinumërimi forcon legjitimitetin e fituesve! Rinumërimi i të gjitha votave nuk i bën dëm demokracisë. Përkundrazi, e forcon legjitimitetin e secilës parti dhe secilit kandidat fitues. Nuk është operacion i rëndë. Merr disa ditë, por largon pikëpyetjet disavjeçare. Gabime ka. Ato mund të jenë vetëm teknike, pra nuk po paragjykoj motivin e gabimeve. Ka raste konkret të gabimeve, që mund të jenë vetëm teknike. Sidoqoftë, më mirë të rinumërohen të gjitha. Tek e fundit, pse duhet të kemi frikë. Më mirë të bëhet rinumërimi transparent, në prani të vëzhguesve, shoqërisë civile dhe mediave”, ka shkruar ajo, transmeton Ballkani.info.

Rinumërim më herët gjatë ditës kanë kërkuar edhe kandidatët Burim Ramadani dhe Gani Dreshaj, kurse mbrëmë një kërkesë të tillë e ka bërë edhe kandidatja Magbule Shkodra.