Kantieri i Rrugës së Arbrit, ecuria e punimeve 43% (video)

Në kantierin e “Rrugës së Arbrit” janë kryer 43% e punimeve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha sot se në këtë kantier puna vazhdon ditë e natë, në shtatë ditët e javës duke shënuar ecurinë 43%.

“Kjo vepër madhështore po ecën me ritëm të shkëlqyer dhe pritet që të përfundojë para afatit”, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke publikuar dhe pamje të punimeve.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.

Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e koncesionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.

“Rruga e Arbrit” do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga kalon në Qarkun e Tiranës – në njësinë administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos, e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, Fshat.