KEK-u çon në remont bllokun A-3, Bucolli: S’do ndikojë në sasinë e prodhimit

Korporata Energjetike e Kosovës, ka bërë të ditur se nga mbrëmë, njësia A-3 e TC Kosova A është nxjerrë nga operimi.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, i cili tha se sipas planit, kjo njësi pritet të rikthehet në operim më 27 shkurt në ora 24:00.

Më tej, ai tha se ndonëse kjo njësi ka shkuar në remont, KEK-u është duke punuar me kapacitet të plotë dhe kjo nuk do të ndikojë në sasinë e prodhimit.

“Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MË/h energji elektrike”, është shprehur Bucolli, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se rreth një muaj më parë, njësia B2 në Termocentralin Kosova B ka qenë jashtë operimit, si shkak i prishjes së turbinës.

Për këtë, KEK-u pati angazhuar një ekspert gjerman ndërsa njësia u kthye në operim më 23 janar.