KEK-u deklarohet për aksidentin ku u përfshi autobusi që po transportonte punëtorët e saj, në ç’rast humbi jetën një qytetar

Një person ka humbur jetën të hënën gjatë një aksidenti që ka ndodhur në fshatin Grabovc të Fushë Kosovës.

Në aksident ku ishin të përfshirë një veturë dhe një autobus, i cili ishte duke transportuar punëtorët e KEK-ut janë lënduar edhe dy persona të tjerë, shkruan fokusi.info.

Fokusi.info mësoi se viktima është A.K. nga fshati Zhilivodë i Komunës së Vushtrrisë.

Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari ngasësi i autobusit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Pas raportimeve se në aksident ishte përfshirë autobusi i Korporatës Energjetike të Kosovës kjo e fundit ka sqaruar se kanë kontratë për transportin e punëtorëve me tri kompani.

“Në aksidentin që ka ndodhur dje në Grabovc ka qenë e angazhuar Konzorciumi DITA & JONI TRAVEL. Bazuar në informatat nga projekt menaxheri i kontratës, në kohën e aksidentit në autobus kanë qenë rreth 50 punëmarrës të Korporatës dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar”.

“Pavarësisht së gjithash, në aksidentin e ndodhur dje në mes të një veture private dhe Autobusit të Konzorciumit DITA & JONI TRAVEL, fatëkeqësisht ka humbur jetën një qytetarë i Republikës së Kosovës dhe me këtë rast KEK-u i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit”, thekson kjo kompani, transmeton fokusi.info.