Kërcet grushti në Prishtinë pas një aksidenti trafiku, 54-vjeçari ther me thikë një person

Shkeljet që bëhen në komunikacion shpesh përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Një rast i tillë ka ndodhur të enjten në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë.

Sinjali mëson se një 54-vjeçar dyshohet se e ka goditur me thikë një përson tjetër për shkak të një mosmarrëveshje mes tyre për një aksident në komunikacion.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari L.B., dyshohet se fillimisht është fjalosur me viktimën, e më pas janë përleshur deri në therje me thikë, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta njoftojë Policinë dhe e ka denoncuar rastin që ka ndodhur.

Zyrtarët policorë janë vënë në lëvizje dhe kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën “Lëndim trupor”.