Këto janë kategoritë që përfitojnë nga dekretimi i Ligjit të Pagave

80

Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar dje Ligjin e Pagave.

Rritje të pagave me ligjin e ri do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.

Projektligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 22 dhjetor të vitit të kaluar.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka deklaruar për Telegrafin Bekim Kupina, këshilltar për Media i Zyrës së Presidentit.

Pas dekretimit nga Presidentja, ky ligj pritet të publikohet në gazetën zyrtare, ndërsa një muaj më pas hyn në fuqi.

Shpallja e ligjit

Pas nënshkrimit nga Kryetari i Kuvendit, në afat prej 10 ditë pune nga dita e miratimit, ligji dërgohet për shpallje tek Presidenti i Republikës. Sipas nenit 80 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti, në afat prej 8 ditësh pasi ta ketë marrë ligjin, e shpall Ligjin të miratuar nga Kuvendi. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin përcaktohet ndryshe.

Koeficientët

Me projektligjin për pagat e shërbyesve civilë, koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës. Paga aktuale e presidentes është 2.743 euro. Me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit është 120 euro, atëherë kjo pagë zbritet dhe është 2.160 euro.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Paga aktuale për këtë pozitë është 3.574 euro. Me projektligjin e ri me vlerë të koeficientit 120 euro, paga zbritet dhe atë në 2.100 euro.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit. Te kryeministri, i cili aktualisht pagën e ka 1.075.25 euro, me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro paga rritet në 2.040 euro.

Rritje të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët. Për mjekët specialistë, projektligji për paga ka vendosur koeficientin 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, koeficienti është 5.6.

Paga aktuale e mjekëve specialistë është 600 euro, e cila me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 1.440 euro. Për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro.

Sipas projekligjit, mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, do ta kenë koeficientin 5.8. Paga aktuale e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë është 525 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 696 euro.

Për mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, koeficienti me projektligjin e ri është 5.6. Paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të ulët është 530 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 672 euro.

Me projektligjin e ri për pagat, koeficienti për policët është 4.4. Paga aktuale e një polici është 392 euro, ndërsa me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 528 euro.

Koeficienti më i ulët në këtë projektligj është 2 dhe ai iu takon pozitave si: rekrut/ kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.