KFOR: Ushtria e Serbisë duhet të kërkojë leje nëse i afrohet 1 kilometër kufirit me Kosovën

Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se Ushtria e Serbisë duhet të kërkojë leje nga KFOR-i vetëm nëse i afrohet një kilometër vijës kufitare me Kosovën.

“Pas raportimeve se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, e kanë vizituar ditë më parë njësitë e Ushtrisë të vendosura në zonën e Rashkës, 2 kilometra nga vija kufitare me Kosovën. Është e dobishme të kujtojmë se Forcat e Armatosura Serbe nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe trajnuar në territorin serb”, thuhet në njoftimin e misionit paqeruajtës përcjell Fokusi.info.

KFOR-i thekson se Forca e Sigurisë duhet ta marrë pëlqimin paraprak nga ky mision për të shkuar në veri.

“Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”, thuhet tutje në komunikatën e KFOR-it.

Misioni i NATO-s në Kosovës vazhdon të mbetet vigjilentë sa i përket situatës së sigurisë.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë vijës kufitare, duke mbështetur dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”.