Kirurgët nuk e përkrahin grevën, Sindikata thotë se do të sanksionohen me ligj

Ndonëse në shumë klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është mbajtur grevë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të Ligjit për Paga, disa klinika nuk e kanë respektuar këtë vendim.

Kolegjiumi profesional i kirurgëve ka marrë vendim të mos i përgjigjet grevës së thirrur nga Sindikata e Shëndetësisë, duke e quajtur të pakuptimtë dhe të pavlerë.

Ekonomia Online ka kontaktuar me kirurgun Arbër Morina, por ai nuk ka dashur të prononcohet.

Islam Krasniqi nga Sindikata e QKUK-së, ka thënë se deklamimet individuale dhe mosfutja në grevë e kirurgëve janë të mirëpritura, por që tha se ka ligj që i sanksionon ata që thyejnë grevën.

“Deklarimet individuale, ato gjithmonë duhet me qenë në një vend pluralist të ndryshëm. Megjithatë ftesës për grevë u janë bashkëngjitur gjithë punëtorët shëndetësor, nuk është punuar në kundërshtim me grevën dhe sigurisht e dinë se ekziston një ligj që i sanksionon ata që thyejnë grevën, por megjithatë është evidente dhe na kanë përkrahur edhe qytetarët që na u është përgjigj sepse sot nuk kanë kërkuar shërbime shëndetësore 99 për qind të tyre”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ky proces është jo i favorshëm për punëtoret shëndetësorë.

“Thënë të drejtën është një proces jo i favorshëm për punëtorët shëndetësor se punëtorët se për dy vjet kanë punuar në këtë drejtim dhe për 9 muaj kemi pritur që pagat të merren me rritje ashtu siç jemi dakorduar me akterët relevantë”, ka thënë ai për EO.