Kjo është arsyeja pse AAK nuk ka kandidat për kryeministër

I pari i AAK’së Ramush Haradinaj thotë se nuk do të kenë kandidat për kryeministër. Por listës zgjedhore të deputetëve do tu prijë vetë ai. Haradinaj thotë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, synojnë pozitën e presidentit.

Nga të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhje Aleanca nuk ka kandiduar askënd për kryetar qeverie por ka shkuar me propozimin për president. Forcat e tjera kanë bërë propozimet e veta, në njëfarë mënyrë, mos ta quajmë, është lëshim rruge, është krijim i një hapësire të ndërsjellë për partneritet me partitë tjera”, tha Haradinaj.

“Po jam bartës i listës, kemi listën me numrin e kandidatëve, aq sa parasheh ligji që mundem me kandidu ndërsa në të njëjtën kohë do të kemi kuadro shumë të zot’, theksoi ai në Rubikon.

‘Unë kam udhëhequr dy herë qeverinë, nuk është që s’di me bë atë punë por kam vlerësuar realitetin politik dhe krejt zhvillimet e deritanishme dhe kam menduar se është e pranueshme që këtë herë të garojë për një përgjegjësi tjetër’, shtoi ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhjet e reja parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt dhe ka shpërndarë parlamentin.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, 2020 me 61 vota, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.