Kjo është avokatja që u arrestua për keqpërdorim të besimit

Avokatja e arrestuar për veprën penale “Keqpëdorim i besimit”, është Emine Bajrami-Statovci.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se masa e paraburgimit ende nuk është kërkuar.

“Jo paraburgim s’është kërku, po është arrestu dje në ora dhjetë domethënë është ndalu për veprën penale “keqpërdorim i besimit, është Emine Bajrami Statovci”, tha ai.

Sipas Policisë, Bajrami-Statovci dyshohet se në cilësinë e përfaqësueses ligjore, keqpërdori rreth 16 mijë euro në një lëndë të një aksidenti të ndodhur më 2012.

Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar një person në Ferizaj, nën dyshimin për keqpërdorim të besimit.

“Lidhur me këtë, hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit nga Prokuria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet dhe nga provat e grumbulluara, lënda në të cilën ishte dëmtuar ankuesi, një pjesë ishte gjykuar dhe kishte formën e plotfuqishmërisë, kurse pjesa tjetër ishte kthyer në rigjykim”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, më 1 tetor 2020 kompania e sigurimeve kishte bërë transferin e parave rreth 16 mijë euro në llogari të përfaqësuesit ligjor.

Mirëpo, thuhet se ekziston dyshimi se përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, për arsye ende të panjohura nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore, ose i kishte keqpërdorur autorizimet me qëllim që vetes, apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, apo t’i shkaktojë dëm personit që ka përfaqësuar.

“Me datën 04.09.2023, përfaqësuesi ligjor është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, është informuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe me Aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të lëshuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’ Keqpërdorim i besimit’’”, thuhet në njoftim.