Kjo është gjendja e banesës që u kaplua nga zjarri në Prishtinë (video)

Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK si pasojë e kaplimit nga zjarri të një banese në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Sipas informacioneve të deri tanishme, pronari i banesës ka marrë ndihmën e duhur mjekësore pasi që fqinjët kanë arritur ta largojnë nga banesa dhe me ndihmë të shpejtë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ndonëse ka pësuar djegie në krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë.

Personat e tjerë që kanë kërkuar ndihmë raportohet se nuk janë të lënduar por vetëm se kanë pasur probleme me frymëmarrje.

Zyrtarisht deri më tani nuk ka informacione se si ka ardhur deri kaplimi i banesës nga flakët, por sipas fqinjëve thuhet se ka ndodhur shkaku i përdorimit të bombolës së gazit pasi që, sipas tyre, ai nuk ka pasur energji elektrike në banesë për gati tre muaj.

“GazetaBlic” ka arritur të sigurojë pamje nga afër ku shihet gjendja e banesës pas shuarjes së zjarreve nga ekipet e zjarrfikëseve.