Kjo është pema më e vjetër në Evropë, ja çfarë moshe ka (Foto)

Mosha 1230-vjeçare që ajo ka, e bën këtë pemë që rritet në jug të Italisë pemën më të vjetër në Evropë e vërtetuar kjo shkencërisht.

Pisha e lashtë vijon të rritet edhe tani që është në “moshën e pleqërisë”. Studiuesit bëjnë me dije se pema kishte një zhvillim rritjeje në dekadat e fundit, ku rrënjët e saj u shtuan edhe pse shumë pemë në rajonin e Mesdheut kanë përjetuar rënie të rritjes.

Ky zbulim tregon se disa pemë mbijetojnë për shekuj me radhë edhe kur i nënshtrohen ndryshimeve esktreme në klimë. Kjo pishë e lartë për shembull ka mbijetuar në temperatura ekstremisht të ulët në Mesjetë dhe më pas do të jetonte në temperatura shumë të ngrohta në periudhat e thatësirës, shkruan nationalgeographic, transmeton Gazeta shqip.

Analizimi i rritjes së kësaj peme në kushte të ndryshme atmosferike ka ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë sesi pyjet në përgjithësi mund t’i përgjigjen ndryshimeve klimaterike.

“Studimi i pemëve shumëvjeçare është shumë i vlefshëm për të parashikuar më mirë ndikimin e ardhshëm të ndryshimit të klimës në ekosistemet pyjore,” thotë Maxime Cailleret nga Instituti Federal Zviceran për Kërkime në Pyje, Dëborë dhe Peizazhe, i cili studion vdekshmërinë e pemëve.