Klinaku-Gërvallës: Ata që ishin dhe janë kundër UÇK-së do ta kenë vendin në plehun e historisë

Organizata e Veteranëve të Luftës Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk e përmendi UÇK-në në Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Në 23-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk e ka thënë as edhe një fjalë të vetme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Mohimi i UÇK-së nga Gërvalla ka ngjallur edhe reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Fokusi.info.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL UÇK, Faton Klinaku përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nëse nuk je për UÇK-në, kuptohet që je edhe kundër saj.

Reagimi i plotë i Klinakut:

Nëse nuk je për UÇK-në, është e vetëkuptueshme se je kundër saj.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë historinë, e ata që ishin dhe janë kundër saj, do ta kenë vendin në plehun e historisë.

Janë nderuar e nderohen antivlerat dhe janë mohuar e mohohen vlerat, sepse UÇK dhe pjesëtarët e saj kanë sfida në Kosovën Ahtisaariane, por e kaluara na ka mësuar se pa marrë parasysh sfidat, vlerat do të triumfojnë.