Klinaku i reagon Kurtit pasi kryeministri përmendi Thaçin

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, i thotë kryeministrit Albin Kurti që të “lëshojë rrugë për t’u zgjedhur një kryeministër i unitetit”, shkruan Fokusi.info.

Ky reagim i tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti tha në konferencë se për shkak të një zotimi të njëanshëm të Hashim Thaçit ndaj NATO-s në kohën kur ishte kryeministër, ne nuk kemi ushtri të Kosovës në veri të vendit.

Klinaku i thotë Kurtit se të gjithë i kanë faj atij edhe “Thaçi që është në burg”.

Sipas tij, “Serbia nuk i frikësohet një kryeministri përçarës dhe shkelës i shtresave të ndryshme të shoqërisë”.

Reagimi i plotë i Klinakut:

1. Të gjithë t’kanë faj ty, e edhe Thaçi në burg, e mundohesh ta mashtrosh publikun duke mos i treguar se Kosova është shtet mbi bazën e pakos së Ahtisaarit e që edhe ti je kryeministër i saj;

2. Po t’ishe serioz, mbledhje e Këshillit të Sigurisë bëhet me tjetër format, ose së paku informohen edhe të tjerët për këtë;

3. Serbia nuk i frikësohet një kryeministri përçarës dhe shkelës i shtresave të ndryshme të shoqërisë;

4. Ka rrezik që edhe në rast të luftës, ty nuk të besojnë ata që do të luftojnë;

5. Lësho rrugë e të zgjedhet një kryeministër i unitetit, e pastaj e sheh ti se a frikësohet Serbia.