Klinaku: Me rritjen e pagës minimale rriten pensionet në 250 euro për 36 mijë veteranë

Vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rritjen e pagës minimale në 250 euro, po e quan vendim të vonuar, ish-ministria e Financave në Qeverinë “Hoti”, Hykmete Bajrami. Por, një rritje e tillë do t’í kushtojë mbi 30 milionë euro në vit buxhetit të Kosovës, pasi që me automatizëm duhet rritur edhe pensionet e veteranëve të UÇK-së.

Ajo në një prononcim për FrontOnline, tha se Kurti është vonuar në realizimin e premtimeve me të cilat ka ardhur në pushtet.

“Paga minimale duhet të rritet, ka qenë premtim i LVV-së. Konsiderojmë se qeveria është vonuar shumë në realizimin e këtij premtimi si dhe premtimeve të tjera në bazë të cilave ka ardhur në pushtet”, tha Bajrami për FrontOnline.

Klinaku: Veterani s’mund të ketë më pak pension se paga minimale

Me rritjen e pagës minimale në Kosovë, sipas ligjit në fuqi, do të rriten edhe pensionet e veteranëve të UÇK-së.

Nga kjo rritje do të përfitojnë mbi 36 mijë persona të cilët marrin pension si veteranë të UÇK-së.

Këtë e ka bërë të ditur për FrontOnline, sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

“Automatikisht me ligj rritet edhe pensioni i veteranëve të UÇK-së, veterani nuk mund ta ketë më pak pensionin se paga minimale”, tha Klinaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale.

Ai këtë njoftim e ka bërë përmes rrjetit social “Facebook”.“

Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit, fillimisht duhet të bëhet rregullimi i kornizës ligjore në mënyrë që të evitohen të gjitha parregullsitë ligjore.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.