Klinaku: Nuk e kemi problemin me policët dhe ndërtesën e Kuvendit, por me qeveritarët e deputetët

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, për protestën e nesërme të veteranëve të luftës, si shenjë e pakënaqësisë për mospërfshirjen e tyre në beneficionet e pagës minimale, ka thënë se i fton të gjithë që të jenë të qetë, sepse sipas tij, duhet të jetë një protestë paqësore.

Klinaku ka thënë se protesta e 16 qershorit, e cila do të fillojë nga ora 9:30 para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pritet të jetë protestë paqësore.

Në emisionin “Personale” të RTV DUKAGJINI, ai ka thënë se protesta e nesërme pritet që të jetë e qetë, sepse sipas tij, problemi nuk qëndron te policët dhe ndërtesa e Kuvendit, por problemi është me qeveritarët dhe deputetët.

“Nesër presim, dhe ftojmë që veteranët që protesta të jetë paqësore. Ne nuk kemi problem me policët dhe Kuvendin e Kosovës si ndërtesë, ne problemin e kemi me qeveritarë e deputetë”, ka thënë Klinaku.

Për protestën e nesërme, ai ka thënë se i fton të gjithë të jenë të qetë, por sipas tij, është e vështirë, sepse në protestën e kaluar, njerëzit kanë qenë të frustruar, pasi me këtë diskriminim, ata mbesin si raste sociale.

Për këtë protestë, ai ka thënë se deri më tash ka marrë mbështetje nga degët e organizatës së veteranëve të luftës, të cilat i ka në Kosovë.

Përveç kësaj, ai ka thënë se ka marrë mbështetje edhe nga partitë politike, si Partia Socialdemokrate e Kosovës(PSD), partia Nisma, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), nga Lëvizja për Bashkim.