Klinaku për publikimin e emrave: Skandal tjetër dhe poshtërsia e radhës nga Gjykata Speciale

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, e ka quajtur skandal publikimin e emrave të viktimave nga Zyra e Prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Klinaku ka thënë se Gjykata Speciale për herë të dytë ka rrezikuar dëshmitarët.

“Nuk kanë faj këta, por meqë nuk kemi shtet, kjo zyrë përçarëse e popullit shqiptar le t’vazhdojnë kështu me skandale të vazhdueshme.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Ndryshe, Prokuroria e Hagës publikoi emrat e rreth 70 viktimave në rastin e krerëve të UÇK-së.

Shkrimi i plotë:

Skandali tjetër dhe poshtërsia e radhës nga Gjykata Speciale, përkatësisht Pseudo Zyra e Prokurorit të Specializuar:

I publikon emrat e viktimave që kinse i kanë kryer krerët e UÇK-së, e kjo bëhet para se të filloj procesi gjyqësor.

Me këtë, për herë të dytë, por edhe më shumë i rrezikojnë dëshmitarët, sepse herën e parë i kanë rrezikuar kur ju ndodhi skandali i rrjedhjes së dosjeve nga zyrat e tyre në Hagë dhe për fajin e tyre mbahen peng qe dy vite e gjysmë krerët e OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

P.S

Nuk kanë faj këta, por meqë nuk kemi shtet, kjo zyrë përçarëse e popullit shqiptar le t’vazhdojnë kështu me skandale të vazhdueshme.