Kompromisi i radhës: Kurti pranon që presidenti t’i takojë LDK-së me kusht që kjo e fundit të propozojë Vjosa Osmanin për presidente

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Bisedimet e nisura kohë me parë mes Vetëvendosjes dhe LDK, për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje, po vazhdojnë ende, duke mos arritur dakordancë të plotë për ndarjen e posteve.

Gazeta online veriu.info mëson nga burimet e saj se Albin Kurti ka pranuar që pozita e presidentit t’i ipet LDK-së me kushtin që kjo parti ta propozojë Vjosa Osmanin për presidente.

“Albin Kurti ka shprehur gatishmëri që të bëj edhe kompromisin e radhës me LDK-në, duke i ofruar kësaj të fundit pozitën e presidentit por me kusht që LDK të propozojë Vjosa Osmanin për presidente”- tha ky burim për veriu.info.

Ndërkohë Vjosa Osmani i ka reaguar ashpër nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, i cili i ka kërkuar sqarime për takimin e djeshëm në hollin e Kuvendit me Albin Kurtin.

Osmani thotë se një deklaratë e tillë është qëllimkeqe dhe e bazuar në gjëra të pavërteta.

“Deklaratë qëllimkeqe e tendencioze e bazuar në të pavërteta. E vërteta është ajo që e kam thënë unë e bazuar edhe në vide e dëshmi. Komplikuesit e vërtetë tashmë dihen”, ka thënë Osmani.

Bisedimet mes VV dhe LDK do të vazhdojnë sot gjatë ditës, një takim i tillë është paralajmëruar për në orën 16:00./veriu.info/