Komuna e Vushtrrisë e paditë MASHTI-n për Kontratën Kolektive, ia kërkon rreth dy milionë euro kompensim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të përballet në gjykatë me Komunën e Vushtrrisë.

Komuna e udhëhequr nga Ferit Idrizi i PDK-se e ka paditur ministrinë që tash drejtohet nga Arbërie Nagavci për mjetet që kjo komunë po detyrohet t’ua paguajë mësimdhënësve si obligim që dalin nga Kontrata Kolektive, e cila ishte nënshkruar më 18 prill të vitit 2017 ndërmjet MASHT-it të atëhershëm dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).

Demokracia.com ka siguruar padinë që Komuna e Vushtrrisë e ka dorëzuar në Gjykatën Komerciale në Prishtinë.

Vlera e këtij kontesti gjyqësor është 1 milion e 920 mijë e 488 euro, raporton Demokracia.com.

Komuna e Vushtrrisë më 10 qershor i kishte parashtruar kërkesë Ministrisë së Arsimit, që të bëjë rimburësimin e mjeteve financiare për vitin 2020-2021.

Kurse, MASHTI më 12 korrik i kishte kthyer përgjigje Komunës së Vushtrrisë, ku e kishte informuar se nuk do ta bëjë rimburësimin e mjeteve materiale si pasojë e implementimit të kontratës kolektive, me pretekst se rimburësimi – pagesa e stafit menaxherial dhe personelit tjetër arsimor nuk është kompentencë e ministrisë, por e komunave, pa e kontestuar shumën dhe lartësinë e mjeteve financiare që i ka paguar Komuna e Vushtrrisë për vitin 2020-2021. MASHTI, po ashtu, i kishte rekomanduar kësaj komune që edhe më tutje të respektohet kontrata kolektive.

E gjendur në këtë situatë dhe me përmbaruesit në derë, Komuna e Vushtrrisë është detyruar që të nisë procesin gjyqësor.

Komuna e Vushtrrisë po pretendon se këto janë shkeljet ligjore nga Ministria e Arsimit.

“E paditura-MASHTI, me rastin e nënshkrimit të kontratës kolektive të Arsimit në Kosovë e datës 18 prill 2017, ku janë paraparë benefite për punëtorët e arsimit siç parashihen në nenin 35 par. 5, 7, 8, 9 dhe 10 të kontratës kolektive të arsimit, siç janë shpenzimet e rrugës 70 %, shpenzimet për ushqim gjatë ditëve të punës (2 euro), shpërblimet jubilare, pagat përcjellëse, shkalla e inflacionit si dhe pagesa për licencim, ndërsa ka obliguar komunat për implementim të kontratës kolektive, ka bërë shkelje të nenit 124 par. 3 dhe 5 të Kushtetutës së Kosovës. Sipas nenit 124 par. 3 të Kushtetutës, citat “Komunat kanë kompetenca vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara në pajtim me ligjin. Autoriteti shtetëror që delegon kompetencat, përballon shpenzime për ushtrimin e delegimit”, kurse sipas nenit 124 par.5 të Kushtetutës citat “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin”. Pra, nga përmbajtja e dy neneve të Kushtetutës rezulton se paditura MASHTI me rastin e obligimit të (kundërligjshëm dhe kundërshtues), komunave për implementimin e kontratës kolektive (implementimi ka kosto milionëshe), ka qenë dashur që koston financiare të implementimit të kontratës kolektive të arsimit ta përballojë me mjete të veta financiare e jo t’i obligojë komunat, respektivisht mjetet financiare për implementimin e kontratës kolektive të datës 18.04,2017 t’ua bartë në llogari komunave”, thuhet në padinë e Komunës së Vushtrrisë, që e ka siguruar Demokracia.com.

Ky është dëmi që kjo komunë po pretendon se i është shkaktuar.

“Konform Ligjit mbi Marrëdhëniet detyrimore, parashtroj kërkesë për kompensimin e dëmit të pësuar material, pavarësisht që nga ajo se a është shkaktuar me qëllim ose nga pakujdesia e të paditurës. Me veprimet e tilla të cekura si më lartë, e paditura i ka shkaktuar dëme të pariparueshme materiale dhe jo materiale paditëses, stafit të saj menaxherial dhe qytetarëve të komunës së Vushtrrisë (qytetarët e komunës janë privuar nga shumë projekte të parapara nga paditësja e të cilat projekte nuk janë realizuar si rezultat i inkasimit të dhunshëm të mjeteve materiale nga ana e gjykatave e përmbaruesve privat përkitazi me implementimin e kontratës kolektive si më sipër). Për këtë shkak e paditura obligohet ligjërisht që ta bëjë kompensimin në të holla të tërë dëmit që ia ka shkaktuar paditëses dhe subjekteve tjera që kanë interes në këtë proces. Kjo mbështetjen ligjore e ka në LMD e cila e përkufizon: dëmin si zvogëlim i pasurisë së dikujt (dëmi i zakonshëm) dhe pengimi i rritjes se saj (fitimi i humbur), si dhe shkaktimi i dhembjes fizike, vuajtjes psikike ose frikës (dëmi jomaterial). Ligji i tillë njëherit e parasheh edhe të drejtën për kërkesë lidhur me kompensimin e shpërblimit të dëmit që do të vazhdojë në të ardhmen, gjë që paditësi e kërkon që këtë ta bëjë eksperti financiar që do të angazhohet për ekspertizë financiare-përcaktimin e dëmit material që ka pësuar paditësi”, thuhet në padi.

https://demokracia.com/wp-content/uploads/2022/07/d3dd4.pdf