Konjufca: Hapja e 58 shtëpive në veri në ditën e të pagjeturëve, nuk ishte e rastësishme

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me hapjen e 58 shtëpive të reja në veriun e Kosovës.

Sipas tij, hapja e tyre vjen pikërisht sot në ditën e të pagjeturëve, nuk është e rastësishme nga ana e shtetit të Serbisë.

“Përmes kësaj tregon që nuk ka asnjë keqardhje a pendesë për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë. Përkundrazi: jo vetëm që e mban të burgosur të vërtetën për të rrëmbyerit, por e vazhdon para hundës së qeverisë tonë kolonizimin e Kosovës”.

“Ky është kolonizim tipik. 58 shtëpi të koncentruara, në një lagje te vetme, në pjesën më strategjike të pjesës së veriut. Shtëpi të ndërtuara nga qeveria e Vuçiqit aty ku më parë kurrë nuk kishte asnjë shtëpi”.

“Në anën tjetër delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel pranon tema të tilla siç ishte kthimi i serbëve që e kanë lëshuar Kosovën që prej vitit 1976. Në momentin që pranohet për dialog një temë e tillë, automatikisht legjitimohet teza e Akademisë Serbe se shqiptarët paskan ushtruar presion dhe apartheid ndaj serbëve të Kosovës. Përmes këtyre konstrukteve shoveniste Serbia synon ta mbulojë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”.

“Asnjë reagim nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kur ta merr vesh kryeministri Hoti këtë veprim nga mediat, me siguri del edhe e dënon ‘ashpër’. E kjo është dukshëm më pak se që bën një OJQ aktive për këtë çështje”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.