Konjufca nuk pret marrëveshje Kosovë-Serbi

“Gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës”, ishte temë diskutimi ndërmjet akterëve të politikës kosovare dhe atyre të Bashkimit Evropian, në konferencën e organizuar nga Kolegji Universum, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Forumi Ballkanik (BF).

Të pranishëm ishin politikanë të shquar të ShBA-së, Britanisë së Madhe, BE-së, diplomatë, deputetë dhe aktorë të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth zhvillimeve globale dhe implikimeve për BB-në.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson që do të arrihet një marrëveshje për normalizim raportesh Kosovë-Serbi, sepse qasja e shtetit serb është në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë. Konjufca, deklaroi se ai personalisht s’është optimist.

“Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Nëse diçka e tillë të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës. Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”.

Me përbërjen e re, në krye me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Konjufca tha se “Serbia tashmë e ka dhënë mesazhin e qartë” se “cili është drejtimi i tyre”.

“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë. Vulin për shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiq që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiç tashmë”.

Ata, shtoi Konjufca, tashmë “kanë treguar se çfarë rruge duan të ndjekin”.