Konjufca për Samitin e Demokracisë: Do të kishte qenë mirë të na ftonte SHBA-ja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, e di se pjesëmarrja në Samitin e Demokracia që kryesohet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, është shumë e rëndësishme.

Konjufca tha për televizionin Besa se një ftesë dërguar Kosovës do të kishte qenë e mirëseardhur, por kryeparlamentarit tani i duhet vetëm të shpresojë që vitin tjetër SHBA-ja ta ftojë Kosovën në Samitin për Demokraci.

“Ato janë konferenca të rëndësishme, të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se kush është e rëndësishme të marrë pjesë ose jo. Për Kosovën do të kishte qenë e mirëseardhur po të kishte qenë pjesë e kësaj konference. Kjo po mbahet për herë të parë, por dëgjova që pas një viti do të mbahet tjetra, sepse kjo parashihej në dy faza”.

Numri një i Kuvendit thekson se e ka lexuar projektin për këtë samit, ndërsa tha se do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën të ftohej në këtë ngjarje.

“Meqenëse nuk u ftuam në këtë të parën, të shpresojmë në atë të dytën që do të mbahet sot një vit, me sa e lexova projektin. Të jemi të ftuar do të ishte shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës”.

Samiti për Demokracinë do të mbahet në muajin dhjetor nën kryesimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden.

Në këtë samit nuk janë ftuar Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.