Konjufca përmendi opsione të tjera për koalicion, ja çka thonë analistët për këtë

Hesapet në mes të LDK e VV ndryshuan në momentin kur u përmenden ndarjet e ministrive e në veçanti posti i presidentit.

Dëshira e Isa Mustafës për të provuar karrigen e presidentit del përtej objektiva të cilat i kishin shprehur LDK’ja deri më tani.

Zbehja e raporteve ndërmjet këtyre dy partive, ka vënë në dyshim nëse këto dy parti do të arrijnë të bëjnë një marrëveshje për bashkëqeverisje, shkruan Periskopi.

Së fundmi, një deklaratë e Glauk Konjufcës në një paraqitje televizive ka ngritur pikëpyetjet nëse koalicioni i ardhshëm qeverisës mund të përbëhet nga një formulë e re.

Konjufca ka deklaruar se në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes më LDK-në, Lëvizja Vetëvendosje do të shikojë për opsione të tjera.

Por për njohësit e çështjeve politike në vend, deklarimet e zyrtarëve të LVV-së për të ndërruar partnerin e koalicionit po bëhen me qëllim të frikësimit të LDK-së, në mënyrë që kjo e fundit të ulë zvogëlojë kërkesat për poste.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu në një prononcim për Periskopin tha se nëse e VV’ja nuk dakordohet për t’i dhënë partisë së Isa Mustafës postin e Presidentit, ekziston mundësia që kjo parti të marrë në bashkëpunim Nismën dhe AAK-në dhe minoritet.

“Tash duhet të shohim se a do të jetë i gatshëm Albin Kurti ti ofrojë Mustafës një pozitë të tillë ose do të shkoj në një variant tjetër që të bëjë koalicion me Nismën dhe AAK dhe minoritetet për të bërë qeverinë. Por në zgjedhje të reja nuk do të shkohet për shkak se presidenti e ka në diskrecion që ta mandatojë në tentim të dytë një kryeministër jo nga partia fituese”, ka thënë Spahiu.

Spahiu beson se Isa Mustafa e dëshiron postin e kryeministrit ose atë të presidentit dhe se interesat e LDK’së nuk i interesojnë.

“Ka mundësi, por ajo se çfarë tenton Isa Mustafa është: ose të marrë garancën nga Albini që t’i ketë votat e VV për president dhe pastaj kur të vijë koha, pjesën tjetër të punës e kryen me Listën Serbe dhe PDK-në. Qëllimi i Isa Mustafës është që gjithqysh ta merr njërën nga këto pozicionet : ose president në koalicion me VV ose kryeministër më koalicion me PDK. Interesat e LDK-së nuk i interesojnë aspak”, tha ai.

Ndërsa Faton Abdullahu, ish-këshilltari i Isa Mustafës, për Periskopin tha se gjasat që LDK-VV të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër janë të vogla.

“Gjasat që LVV të bëjë koalicion me ndonjë forcë tjetër politike e jo me LDK-n janë të vogla. Nëse do të ketë përpjekje për diçka të tillë, kjo do të jetë vetëm një bllof politik i LV që ta frikësoj LDK që ajo të lëshoj pe në pazaret politike. Përndryshe nëse LV nuk mund të mirret vesh me LDK-n, vendi shkon në zgjedhje të reja. Por unë konsideroj se dy forcat fituese të dala nga zgjedhjet e fundit do të bëjnë koalicion dhe do ta formojnë qeverinë”, ka thënë ai.

Abdullahu ka theksuar se bashkëpunimi LV-LDK është ekskluzivisht bashkëpunim i interesave dhe nuk ka të bëjë me çështje parimore.

“ Është çështje e ndarjes së pushtetit jo çështje parimesh, prandaj kjo do të ndodh. Sikur të ishte çështje parimesh ato as që do të fillonin bashkëpunimin për arritjen e një marrëveshje, sepse parimisht, konceptualisht dhe në çdo sferë tjetër ato jo vetëm që dallojnë shumë, por kanë një histori të vrazhdë të raporteve ndërmjet vete të cilat kanë pasur edhe elementë kriminal përbrenda. LV dhe LDK parimisht”, tha Abdullahu.

Nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës në mes kreut të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa.

I fundit takim ishte ai i së hënës, në të cilin pritej që të finalizohej marrëveshja për bashkëqeverisje, gjë e cila dështoi.

LDK dje përmes një komunikate për media ka deklaruar se ekziston vullneti i kësaj partie për të formuar qeverinë e re me Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht presioneve publike.