Kosova merr kryesimin e SEECP

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, solemnisht ka prezantuar marrjen e kryesimit nga ana e Kosovës, në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP.

Kosova nga korriku i 2019-ës për një vit do ta udhëheqë SEECP.

Pacolli në një konferencë për media tha se prioritet do të jetë mbajtja e të rinjve brenda vendit, promovimi i kulturës dhe i turizmit.

Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania dhe Serbia. Kryesimi i SEECP është njëvjeçar.

Së fundmi udhëheqjen e kishte Bosnja dhe Hercegovina, në samitin e së cilës nuk mori pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e as Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, pasi në ftesën e dërguar Kosova ishte e shënuar me fusnotë.