Kosova U21 barazon me Bullgarinë, Ardit Tahiri fantastik

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 ka barazuar 2-2 në shtëpi ndaj Bullgarisë U-21 në ndeshjen kualifikuese për Euro 2025.

“Dardanët” e rinj nuk kanë arritur të marrin më shumë se një pikë ndaj rivalëve bullgarë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Ekipi i përzgjedhësit Afrim Tovorlani luajti si i barabartë për 90-të minuta, por pa arritur të marrë tri pikët dhe të ngjitet në tabelë.

Pjesa e parë për një nuancë i takoi mysafirëve të cilët arritën të shënojnë dy gola, kundrejt një të vendasve të Kosovës.

Ishte Martin Sorakov, i cili në minutën e tetë shënoi për 0-1, por Ardit Tahiri u përkujdes në minutën e 34-të për të barazuar shifrat në 1-1.

Kur pritej që ekipet të shkonin në pushim me rezultat të barabartë, kështu nuk mendoi edhe Martin Petkov, i cili në minutën e 45-të shënoi për 1-2.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, por vetëm Kosova arriti të gjej golin.

Ishte përsëri sulmuesi i Dritës, Tahiri, i cili në minutën e 59-të shënoi për barazimin 2-2 dhe deri në fund nuk pati gola duke bërë që ndeshja të mbyllet me këtë rezultat.

Pas këtij barazimi, Kosova e sheh veten në pozitën e katërt me pesë pikë, ndërsa Bullgaria e treta me gjashtë pikë. /Telegrafi/