Krasniqi: Albin Kurti me inate politike po i vë komunat e Kosovës buzë kolapsit

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovë, Memli Krasniqi ka thënë se vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se i humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti, siç ka thënë ai, në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë.

Postimi i plotë:

Vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre.

I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë.

Në turin e vizitave nëpër komuna që kam zhvilluar javëve të fundit, ku pothuajse të gjitha udhëhiqen nga kryetarë që u përkasin partive opozitare në nivel qendror, kam parë vështirësitë reale që ka niveli lokal në zbatimin e projekteve kapitale, për shkak të neglizhencës nga ana e Qeverisë Kurti.

Ato projekte që kanë gjetur zbatim, janë bërë me mjetet vetanake të komunave ose nga donacionet që kryetarët kanë arritur t’i marrin nga organizatat ndërkombëtare.

Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që u shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!