Krasniqi: Gënjen kush thotë që VV është parti e shpresës, është parti e zorit

Profesori Milazim Krasniqi ka reaguar pas deklaratës së Kurtit i cili tha se nuk ka marrëveshje në mes të LDK e VV’së.

Sipas Krasniqit partia e VV’së është parti e zorit e dëshpërimit, sipas tij kjo parti ka lindur si reaksion ndaj prezencës ndërkombëtare dhe keqqeverisjes nga partitë e tjera shqiptare.

Krasniqi ka theksuar se vota për VV nuk ka qenë votë e ndryshimit, po votë e dëshpërimit.

Postimi i tij:

“Të dashur miq, (të të gjitha partive e jopartive)! Vota për LVV nuk ka qenë votë e ndryshimit, po ka qenë votë e dëshpërimit. LVV edhe vetë është parti e dëshpërimit, sepse ka lindur si reaksion ndaj prezencës ndërkombëtare dhe keqqeverisjes nga partitë e tjera shqiptare. Kush thotë që LVV është parti e shpresës, thjesht gënjen. Është parti e zorit.

Ajo mund të bëhet parti e shpresës nëse qeverisë mirë, por sot për sot nuk është parti e shpresës. Vota duhet të lexohet drejt, nëse synohet të gjendet zgjidhje e duhur.

Edhe deklarata e sontme e Albinit ishte deklaratë e dëshpërimit, jo e shpresës. Më dëshpëroi edhe mua, sepse dështimi na dëshpëron e na dëmton të gjithëve. Shype, mësoni t’ua thoni sendeve emrat e saktë dhe t’i lexoni mesazhet saktë, nëse doni të dilni nga dëshpërimi!”