Krasniqi në Parlament: Heshtja e Kurtit dhe Osmanit konfirmoi gjithçka për Martin Berishajn

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar në seancën parlamentare në Kuvendin e Kosovës, se tashmë është e qartë se krerët institucionalë heshtin për skandalin ku është i përfshirë Martin Berishaj, sepse janë edhe vetë të përfshirë.

Madje, kjo heshtje e tyre është konfirmimi më i madh i kësaj përfshirje.

“Do të duhej të flisnim për programe e projekte që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë, ose të paktën kjo të ishte seancë normale parlamentare, por kjo është fatkeqësisht e pamundur për dy arsyeje. E para, jo që s’ka progres, po vetëm regres në çdo sektor. Dhe e dyta, ka disa muaj që kjo qeveri nuk po ka guxim ta trajtojë një virus helmues për shtetin. Në prill të vitit të kaluar mediat sllovene raportuan për skandal financiar ku ishte i përfshirë Martin Berishaj”, tha Krasniqi.

“Qe fiks 273 ditë dy gjëra diametralisht të kundërta e kanë karakterizuar këtë skandal. E para, për nëntë muaj raportimet për aferën Martin Berishaj kanë ardhur duke u shtuar, faktet duke u zbuluar, akuzat duke u ngritur e dyshimet duke gjetë rrugë deri te Albin Kurti. E dyta, reagimi nga kryeministri e presidentja e ministrja e punëve të jashtme kanë ardhur duke u zvogëluar”, deklaroi kryetari i PDK-së.

“Kanë dashur përmes heshtjes ta tejkalojnë këtë situatë. Por. ata vetëm se po e konfirmojnë se edhe vetë janë të përfshirë. Ky skandal na ka dëmtuar jo vetëm reputacionin, por edhe më tej”, pohoi Krasniqi duke vazhduar me një seri pyetjesh.

“Si ua shpjegojmë fëmijëve se një ambasador tërhoqi mbi 1 milionë para cash nga një kompani serbe. Si ua shpjegon kryeministri këtë gjithë qytetarëve që e votuan atë për ta luftuar korrupsionin?”.

Këto pyetje duhet të marrin përgjigje nga vetë Kurti tha Krasniqi.

“Kryeministri duhet të vijë këtu në shtëpinë e popullit e t’iu përgjigjet disa pyetjeve. Si mund dikush ta merr nënshtetësinë brenda 1 dite dhe të nesërmen të emërohet ambasador? Si e mori dritën e gjelbër Martin Berishaj nga organet e inteligjencës së Kosovës? Si është e mundur që pas gjithçkaje që dimë tash, ministrja deklaroi se ajo ende i beson Berishajt? Si është e mundur që ende nuk është shkarkuar Berishaj? Po zërat e mediave ndërkombëtare që 2 milionë euro juanë përdorur për financimin e fushatës së Vetëvendosjes?”, vazhdonin pyetjet e Krasniqit.

“Si mundet kryeministri që ka një lidhje shumë të ngushtë me Berishajn të heshtë për këtë skandal? A mund të na thotë çka po e ndalë, apo vetë Martini? A fshihet pas Martin Berishajt lidhja e tij me mafian e energjisë?”.