Krasniqi: U bë një javë që i kam dërguar letër por Kurti nuk u bë i gjallë, po i ikë përgjegjësisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se janë bërë një javë prej që ai i ka dërguar letër kryeministrit Kurti, për të ngritur shqetësimet rreth gjendjes së krijuar me pandeminë, mirëpo që nga ajo ditë Krasniqi thotë se nuk ka marr asnjë përgjigje nga Kurti.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se nga dita që ai i ka dërguar letrën kryeministrit Kurti, bilanci ka qenë tragjik për 207 familje që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa janë evidentuar 9.914 raste të reja me virusin korona. nga numri total aktual prej 24.484 rastesh aktive në nivel vendi.

“Kam besuar se, ndonëse i paaftë për ta menaxhuar këtë krizë, ai vërtet është i shqetësuar për situatën e rënduar me pandeminë, duke llogaritur se si një front i përbashkët – sepse nuk kemi dhe s’duhet të kemi betejë politike për pandeminë – mund të gjejmë zgjidhje për të plotësuar shumë nevoja emergjente, përfshirë ndryshimet e Ligjit të Buxhetit, ku do të reflektoheshin këto nevoja.

Megjithatë, Kryeministri Kurti nuk u bë i gjallë. As në letra, as në terren. As në Qeveri, as pranë qytetarëve, as pranë pacientëve. Ne e dimë që nuk jemi atraktivë për të, sepse postulatet ideologjike e seminarike nuk mund t’i shesë në PDK. Megjithatë, kemi besuar se ka aq integritet e përgjegjësi politike sa për ta bërë prioritet themelor trajtimin e gjendjes me pandeminë”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se ky dezertim nga përgjegjësia po u kushton qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çfarë PDK nuk mund të rrijë indiferente.

“Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej ta linte anash disponimin e keq elektoral me të cilin përballet, e të fokusohej në përgjegjësitë qeverisëse, sepse qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë që të mbështeten në institucionet e tyre. Unë besoj që duhet të bëhemi bashkë përtej pushtetit, përballë këtij rreziku që po merr dhjetëra jetë njerëzish për çdo ditë. Tash dhe menjëherë”, ka shkruar në fund Krasniqi.