Krasniqi: VV bëri koalicion gjithkund, me keqpërdorues e njerëz të korruptuar por prapë si mjaftuan për të fituar

Frashër Krasniqi nga PSD ka reaguar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale, saktësisht balotazhin e djeshëm.

Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje bëri koalicion me AAK-në, AKR-në dhe dy ish-kryetarët e dështuar të Komunës së Kamenicës, e se në Gjilan bëri koalicion me Qemajl Mustafën që ishte akuzuar për krim të organizuar dhe me Listën Serbe.

Sipas tij, Vetëvendosje bëri koalicion me LDK-në në Junik si dhe me LDK-në në Sharr.

Madje ai tha se në Vushtrri e mbështeti PDK-në dhe në Shtime bëri koalicion të fshehur me LDK-në.

Frashër Krasniqi theksoi se VV në Prizren bëri koalicion me ish-zv/kryeministren Albulena Balajn dhe një pjesë të Nisma-s, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, Vetëvendosje gjithkund ka negociuar me partitë e tjera, për mundësi koalicionesh.

Tutje ai tha se pasi mblodhi keqpërdorues, karrieristë të korruptuar e mbushi partinë me ta.

Postimi i plotë:

– VV në Kamenicë bëri koalicion me AAK-në, AKR-në, dy ish-kryetarët e dështuar të komunës, Shaip Surdullin (LDK) dhe Begzat Sinanin (PDK), Fatmir Matoshin ish-ministër në Qeverinë PLAN;
– VV në Gjilan bëri koalicion me Qemajl Mustafën (ish-PDK) që ishte akuzuar për krim të organizuar e korrupsion si dhe me Listën Srpska (takimet e Ismajl Kurteshit që u dokumentuan me foto nëpër medie);

– VV në Junik bëri koalicion me LDK-në;
– VV në Sharr bëri koalicion me LDK-në;
– VV në Vushtrri e mbështeti PDK-në;
– VV në Shtime bëri koalicion të fshehur me LDK-në;
– VV në Prizren bëri koalicion me zv.Kryeministren e “PLAN”-it, Albulena Balajn (dhe një pjesë të NISMA-s);
– VV në Viti bëri koalicion me AAK-në;
VV gjithkund, ama bash gjithkund, ka negociu me partitë e tjera, për mundësi koalicionesh.
Pasi mblodhi keqpërdorues, karrieristë e të korruptuar, majtas e djathtas dhe e mbushi partinë me ta; provoi të bëj pazare poshtë e lartë me të gjitha partitë, pasi krejt këto nuk i mjaftuan për t’i fituar zgjedhjet, tash Albin Kurti e VV-ja kthehen tek streha “kriminelët u bashkuan kundër nesh”.
N’fakt, ju i bashkuat keqpërdoruesit, konservatorët, regresistët, krejt bashkë… kundër Qendronit dhe kundër kandidatëve të tjerë, kudo që patët mundësi.