Kritikat e opozitës për masat antiCOVID, Kurti: Jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit në vendimet tona

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se varianti Omicron po përhapet më lehtë se variantet tjera dhe se një person i infektuar me Omicron po infekton mesatarisht katër të tjerë.

Kurti më tej para deputetëve të Kuvendit tha se një person po infekton të tjerët vetëm dy ditë pasi është infektuar vet.

Kreu i ekzekutivit të vendit i është përgjigjur edhe kritikave të opozitës për masat e fundit antiCOVID.

“Masat antiCOVID nuk kanë rënë nga qielli, por rezultat i një procesi të kujdesshëm…ne jemi një qeveri që nuk merr vendime shkel e shko e për përfitime politike, por qeveri që është e gatshme edhe për vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, tha ai.

“Nuk kam detyrë më parësore se të mbroj shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit të vendimeve tona.

Jemi të vetëdijshëm për pasojat masat kufizuese mund të shkaktojnë në jetën ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit”, tha ai.

Kurti më tej kërkoi nga qytetarët që të mos e neglizhojnë Omicronin, por të vaksinohen edhe me dozë përforcuese.

Ai tha se nga korriku i vitit 2021 deri në 25 janar 2022, 74 për qind e të infektuarve kanë qenë të pavaksinuar dhe mbi 80 për qind e rasteve të vdekjeve kanë qenë të pavaksinuar.

Pas fjalimit të kryeministrit, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.