Kroacia triumfon ndaj Holandës, kualifikohet në finalen e Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Kroacisë ka siguruar finalen e madhe të Ligës së Kombeve duke eliminuar Holandën në gjysmëfinale.

Kroatët triumfuan me rezultat komod 2:4 pas plot 120 minutave lojë.

Ndeshja rezultoi të jetë shumë e barabartë qysh nga minuta e parë, me dy kombëtaret që provonin të gjenin rrugën drejtë rrjetës.

Holanda ndërtoi një aksion fantastik ku Mats Wieffer asistoi për mrekulli te Donyell Malen, i cili me një gol nga afërsia i dha epërsinë Holandës (34’).

Kroacia nisi ta tregojë vetën në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin me anë të Andrej Kramaric, i cili shënoi nga pika e bardhë.

Cody Gakpo shkaktoi një 11-metërsh me një ndërhyrje brenda zonës, ku Kramaric ishte i pagabueshëm (55’).

Për përmbysjen e madhe u sigurua Mario Pasalic, që shënoi brenda zonës pas një asistimi të Luka Ivanusec (73’).

Kur askush nuk e priste, në skenë doli i inkuadruari Noa Lang, që realizoi pas një topi të kthyer brenda zonës për të befasuar portierin dhe mbrojtjen kroate (90+6′).

Sidoqoftë, në kohën shtesë heroi i Kroacisë ishte Bruno Petkovici që realizoi një gol fantastik nga distanca pas një asistimi të Luka Modricit (98’).

Fitoren e vulosi kapiteni Modric i cili realizoi nga pika e bardhë pas një tjetër penalltie të shkaktuar, këtë herë nga Tyrell Malacia (116′).

Kësisoj, Kroacia avancon në finalen e Ligës së Kombeve derisa Holanda tani do të luftojë për vendin e tretë. Kujtojmë, nesër do të mësohet finalisti i radhës ku Spanja do të përballet me Italinë.