Kryesia e kuvendit e procedon në qeveri projektligjin për Gjykatën Speciale

0
224

Kryesia e kuvendit e ka proceduar projektligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në qeveri.

Kadri Veseli, kryetar i kuvendit ka thënë se sa i përket iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është vepruar në bazë të rregullores dhe se gjithçka është proceduar në bazë të rregullores.

“Iniciativa e Speciales i është dërguar Qeverisë, kjo është e tëra që mund të them”, shprehet ai .Qëndrimet politike dihen dhe nuk ka pas nevojë të dalë askush nga mbledhja, është e gjitha procedurale. Ligjin për demarkacionin nuk do ta kemi në seancë plenare për arsye se Komisioni Parlamentar nuk e ka sjellë në kohën e duhur që të trajtohet në seancën e radhës.Do të presim që ta procedojmë, por që në këtë mbledhje nuk ka qenë e përgatitur”, ka përfunduar Veseli.

Veseli ka bërë të ditur se vazhdimi i seancës së radhës do të jetë më 25 janar. “Do të kemi vazhdim të seancës më 25 janar dhe nëse përfundohet, atëherë menjëherë përfundojmë seancën e re parlamentare. Kemi disa pika që janë për vazhdim të seancës më herët, pastaj janë edhe 18 pika aktualisht që do të jenë në seancën e re parlamentare”, ka thënë Veseli

Edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryesia e kuvendit ka vendosur që nismën për shfuqizimin e Speciales ta procedoj për shqyrtim në Qeveri.

“Kryesia mori vendim që projektligji për shfuqizimin t’i shkojë qeverisë. Topi tash është në duart e qeverisë”, ka thënë Konjufca.

“Është pamundësuar në mbledhjen e kaluar të kryesisë për shkak se nuk kishte kuorum, këtë herë kishte kuorum prej katër anëtarëve dhe u morë vendim që nisma e deputetëve për shfuqizim të shkojë në shqyrtim në qeverinë e Kosovës. Pra, ka një avancim të kësaj nisme”, ka thënë më tej ai.