Ku po i merr paratë për ndarje të ndihmave: Tregon Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ditë më parë ndau mijëra euro për luftën kundër ISIS, sot ndau 15 mijë euro për familjen e policit të vrarë në Zhur dhe nga 10 mijë për dy policët e plagosur. Ai gjithashtu mori vendim që t’u jepet nga 300 euro secilës familje të policëve që kanë rënë në detyrë dhe ndau edhe 50 mijë euro për të rinjtë e Bujanocit për aftësim profesional. Ai thotë se Kosova ka buxhet që i tepron.

Në një konferencë për media, Haradinaj tregoi se ku po i merr paratë,

pavarësisht disa paralajmërimeve se Kosova mund të mbesë pa fond rezervë.

“Ne kemi 500 milionë buxhet tepër sot në Kosovë. Është njëfarë dëshire e disave që të paraqesin rrezik. Ne tre muaj kemi buxhet të vazhdueshëm fare pa u ndalë hyrjet, Kosova për tre muaj vazhdon pa hyrje të reja, pas atyre tre muajve ka 500 milionë pare të gatshme”, ka thënë ai.

Tutje, Haradinaj ka lavduar punën e Qeverisë që e drejtoi, duke thënë se ka dhënë shumë përkrahje për policinë.

“Asnjëherë në histori të Policisë nuk ka pasë përkrahje si nga kjo qeveri që po shkon. Është rritur përkrahja buxhetore edhe në Ligjin e ri të Pagave edhe pse s’ka filluar implementimi. Janë dy ligje që presin, por kjo qev nuk mund t’i çojë përpara, ai për pension të parakohshëm dhe sigurim shëndetësor”, tha ai.