Kuçi: Kosova dhe Shqipëria janë një popull i ndarë që do të bashkohet

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se bashkimi kombëtar është ide natyrale e një populli të ndarë dhe nuk duhet të ketë ngjyrime patriotike në këtë ide. Ai shton se kjo nuk është ide e re dhe se ekziston prej vitit 1912, kur Kosova u nda nga Shqipëria. Gjithsesi, Kuçi shton se për të arritur deri tek bashkimi, duhet të forcohet shteti i Kosovës dhe të pranohet në OKB, pasi pa bashkëpunim me ndërkombëtarët nuk do të jetë i mundshëm.

“Ideja e bashkimit Kosoves me Shqipërinë ka lindur më 1912. Ditën na kanë ndarë. Çdokush që e pretendon e di se ditën e ndarjes njerëzit kanë pasur vuajtje dhe kanë dashur të kthehen me Shqipërinë. Këta njerëz duhet ta dinë se ashtu si ndarja, bashkimi mund të ndodhë me partnerët ndërkombëtar dhe në angazhim me ta. Ndarja ka ndodhur jo nga vullneti i shqiptarëve, por nga partneriteti kombëtar, shpeshherë të drejtën nuk e fiton ai që ka të drejtë, por ai që është në anën e drejtë të historisë. E kuptoj anën natyrale të bashkimit kombëtar, idenë natyrale të një populli të ndarë. Nuk ka asgjë të keqe se kushdo që është i ndarë në botë, vëllau me vëllanë dhe motra me motër, është natyrale të kërkohet bashkimi. Nuk është diçka patriotike. E mbulojmë me ngjyra patriotike por një popull i ndarë që do të bashkohet”, tha ai në emisionin Pressing në T7.

Kuçi thotë se dëmtimi i shtetit të Kosovës nuk dërgon në bashkim kombëtar dhe ka një lutje për të gjithë qytetarët që ta konsiderojnë Kosovën më shumë se shtet. Ai shton se gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës është më e rëndë dhe se duhet konsolidimi edhe i atyre.

“Duhet të kuptohet se, dëmtimi i shtetit të Kosovës, shumë më lehtë është që Kosova si shtet i KB të bashkohet me Shqipërinë se sa të jetë i dëmtuar. E kisha lutur cdo qytetar të shtetit se Kosova është më shumë se shtet. Nuk e arrijmë bashkimin kombëtar pa forcim të shtetit. Ajo arrihet me aktivitete të të 2 vende dhe me partneritet ndërkombëtar. Zhvendosja e identiteteve nuk arrihet pa pasur të tjetrin më të sigurt. Besoj që gjendja më e keqe është tek shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës. Konsolidimi i tyre na ndihmon. Edhe shpallja e jonë e pavarësisë i ka ndihmuar. Besoj se të gjitha pjesët e trupit duhet të jenë të forta që të arrihet kjo”, përfundon Kuçi.